Fryma poetike e së dielës me poeten;- Mira Zaho MËHILLI
DRITHËRIMË
———————–
Serial i stërzgjatur
i ditëve e mbrëmjeve,
kur prej klithmave, sytë
frikshëm errësoheshin,
prej oshtimës së britmave
me goditje dhimbjeje,
veshët buçisnin,
zemra sa s’çante kraharorin.
E dobët, e pafuqishme
për të shuar zjarrin e zemëratës,
që fytyrës së tyre,
në tjetërsim përçudnuar,
egërsisht flakëronte.
Lotët, në kufijtë e humnerës
syve ngurtësuar,
në copëtim e thërrmim
panikosjeje me dhimbjen
e trishtimit gëricnin.
Drithërohej pafajësia,
padrejtësisht, egërsisht,
papërgjegjshmëria egoiste,
mbi të dërmonte e godiste.
Errësuar koha e shkuar
e sot, zemra në dyzimin
e dhimbjes së pafundme
trishtueshëm e drithëruar…
/www.qendrapress.com/