Ziadeh: Thelbësore hetimet për sulmin në Banjskë, autorët të mbahen përgjegjës
Në seancën për Kosovën që Këshilli i Sigurimit të OKB-së e mban dy herë në vit, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm, Caroline Ziadeh, sot theksoi nevojën urgjente për veprime të bashkërenduara dhe kompromis për të trajtuar mjedisin e përkeqësuar të sigurisë dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.
Duke informuar mbi zhvillimet dhe sfidat e sigurisë e kohëve të fundit, Ziadeh theksoi rëndësinë kritike të angazhimit konstruktiv dhe masave de-përshkallëzuese, përcjell Reporteri.net.Ajo përsëriti dënimin e UNMIK-ut për incidentin e rëndë të sigurisë që ndodhi në afërsi të fshatit Banjskë të Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës më 24 shtator dhe humbjen tragjike policit Afrim Bunjaku, duke bërë thirrje për përmbajtje. “Është thelbësore që hetimet që po zhvillohen aktualisht të ofrojnë mundësinë për të dokumentuar me fakte këto ngjarje dhe për t’i mbajtur autorët përgjegjës,” shtoi Ziadeh.Shefja e UNMIK-ut foli edhe për takimin e nivelit të lartë të 14 shtatorit, që nuk prodhoi konsensus.“Kjo ishte një mundësi e humbur për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive drejt një programi për zbatimin e angazhimeve përkatëse të palëve sipas marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në fillim të këtij viti”.Ajo shprehu shpresën se rezultati i takimeve të udhëhequra nga BE-SHBA të mbajtura veçmas në Beograd dhe Prishtinë më 21 tetor do ta rikthejë dialogun në rrugën përpara, me angazhim të vendosur nga të dyja palët për të ndërmarrë hapa de-përshkallëzues dhe për të vepruar sipas propozimeve të paraqitura gjatë takimeve.“Ngërçi aktual politik, me ndikimin e tij në sigurinë dhe mirëqenien e popullatës, mund të tejkalohet vetëm përmes kompromisit që duhet të arrihet në Dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës,” theksoi Ziadeh.Ajo lavdëroi qëndrueshmërinë e akterëve vendorë, përfshirë partnerët e UNMIK-ut, në përpjekjet e tyre të palodhura për të promovuar besimin dhe dialogun, duke theksuar, “ne do të vazhdojmë punën tonë për ndërtimin e mirëbesimit, edhe pse shpesh dëgjojmë se ‘besimi është në nivelin më të ulët’ në këtë moment. Por nëse jo tani, atëherë kur?”Në përfundim, Ziadeh përsëriti mbështetjen e UNMIK-ut për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe theksoi imperativin për dialog gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë. “Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ajo.