Fryma poetike e së mërkurës me poeten:- Ervina TOPTANI
Àt,
——————-
Ne i shkulëm nga rrënjët të gjitha,
çdo gur e mur kthyem përmbys,
Në gjunjë përpara teje veç nënat,
Asnjë burrë, për bè asnjë burrë
Àt,
Ne i braktisëm ata që deshëm më shumë,
Pastaj mëshirë prej Djallit kërkuam,
Në gjunjë përpara teje veç nënat, Àt,
Asnjë burrë për bè nuk u pa kurrkund
Àt,
Na mblodhën në tufë e mbi kokat tona të qethura lëvizte lidhur në lavjerrëz një Dritë,
E ndoqëm Àt, menduam se ishte Shpresa
e zbritur për ne, nga Ty
Turma u bë popull Àt, u bëmë shumë,
E Shpresën donim të preknim të gjithë,
Mbi kokat e shoshoqit shkelëm me dhunë,
E gjakun e njëri tjetrit lëpimë
Àt,
Në gjunjë veç nënat para Teje,
Në kraharor djemtë e pajetë shtrëngojnë,
Kënetave të lotëve ku mbytëm Shpresën,
Më kot Dritën e saj kërkojmë
/www.qendrapress.com/