Procesi i regjistrimit të popullsisë i “mjegullt”, Qeveria s’i përgjigjet ASK-së (dokument)
Procesi i regjistrimi të popullsisë nuk nisi më 1 nëntor, ashtu siç ishte planifikuar nga Qeveria. Zyrtarët e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që regjistrimi i popullsisë të nisë në prill të vitit të ardhshëm.
Situata politike, ngjarjet e 24 shtatorit, sulmi terrorist në fshatin Banjskë, është një nga arsyet që Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) , i ka kërkuar Qeverisë që procesi i regjistrimit të popullsisë të realizohet në prill të vitit të ardhshëm, thuhet në letrën që i ka dërguar ASK- Qeverisë.
Indeksonline e ka siguruar dokumentin me kërkesat për shtyrjen e afatit të regjistrimit të popullsisë. Ne gjithë angazhimet maksimale nga ana juaj, Komisioni qendror KQR dhe ASK realizimi i regjistrimit të popullsisë në kohën e paraparë është ballafaquar me sfida madhore.
Më poshtë janë sfidat kryesore që ASK-a i ka arsyetuar e mosnisjen e procesit të regjistrit të popullsisë. Tabletat-operatori ekonomik nuk ka arritur që të bëjë dorëzimin e tabletave sipas kontratës (27 shtator 2023), duke pamundësuar nisjen e trajnimeve në kohë (trajnimet ishin planifikuar nga 02 tetori 2023) njëherësh shtyrjen e regjistrimit. Stafi në terren (regjistruesit dhe mbikëqyrësit) për shkak të afatit të shkurtër për aplikim…numri i stafit në terren është plotësuar me vetëm 78 %.
Me gjithë zgjatjen e afatit për aplikim, ende nuk është plotësuar numri i kërkuar 3 mijë e 503 për regjistrues. Disa komuna kanë reaguar për afatin kohor të aplikimit si afat shumë të shkurtër.
Dhe pika e fundit më e “nxehtë” del të jetë situata politike, ngjarjet e 24 shtatorit, sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës, thuhet midis tjerash në kërkesën e ASK-së, dërguar Qeverisë së Kosovës. Këta të fundit ende nuk kanë dalë me vendim për shtyrje të afatit sipas kërkesave të ASK-së./Indeksonline/