Grabitja në pikë të ditës që tronditi Suharekën, të dyshuarit ende në arrati – krejt çka dihet deri më tani
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në qendër të Suharekës. Në pikë të ditës një grup prej katër personash kanë kryer një grabitje në një argjendari. Ata u konfrontuan me Policinë e Kosovës.
Për pasojë një polic ka mbetur i plagosur, dhe një tjetër ka pësuar lëndime të lehta trupore, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Si ndodhi ngjarja:
Sipas Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme, rreth orës 15:45 policia janë njoftuar për një rast “Grabitje e armatosur”, që ishte në zhvillim e sipër në një argjendari, në rrugën Brigada 123, në Suharekë.
Me të mbërritur në atë lokacion, policia i ka gjetur grabitësit në vendin e ngjarjes. Të njëjtit ishin të maskuar dhe të armatosur.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë, një polic u lëndua lehtë, ndërsa lëndime mori edhe një tjetër.
“Policia me të marrë informatën, konkretisht patrulla më e afërt është nisur në atë drejtim, policia ka mbërri shumë shpejt dhe grabitësit i ka hasur në vendin e ngjarjes. Të dyshuarit ishin të maskuar dhe të armatosur, posa patrulla policore ka mbërri në vendngjarje, të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, me atë rast një zyrtar policor është plagosur lehtë nga arma e zjarrit, ndërsa një tjetër zyrtar policor është lënduar gjatë aksionit”, bëri të ditur Policia gjatë ditës së djeshme.
Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe përforcime të tjera policore dhe nga të dhënat e para dyshohet se ishin katër të dyshuar.
Megjithatë ata kanë arritur të ikin nga vendi i ngjarjes përkundër përpjekjes së Policisë për ti kapur.
Të njëjtit janë ende në arrati.
“Të dyshuarit janë larguar nga vendi dhe policët iu janë vënë pas, gjatë rrugës të dyshuarit kanë vendosur pengesa të ndryshme dhe kanë arrit që të arratisen. Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren në bashkëpunim edhe me Drejtoritë tjera Rajonale janë angazhuar me tërë kapacitetin e tyre për zbardhjen e rastit konkrteisht identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve”, njofton PK-ja.
Policia e Kosovës ka bërë apel te të gjithë qytetarët që kanë çfarëdo informacioni ndihmon në kapjen e kryesve të këtij rasti të kontaktojnë policinë.
https://reporteri.net/lajme/policia-del-me-detaje-per-grabitjen-e-armatosur-ne-suhareke-kerkon-ndihmen-e-qytetareve-per-identfikimin-e-te-dyshuarve/embed/#?secret=JxjIFGepWL#?secret=hc0HOBBD0o Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit, Faton Alija ka thënë se grabitësit kanë arritur të marrin një sasi të konsiderueshme të arit.
Alija shtoi se deri më tani sipas informacioneve që kanë, vetura e të dyshuarve është ngjyrë hiri, me targa të vjedhura diku tjetër, ndërsa të dyshuarit janë larguar në drejtim të fshatrave që lidhen me drejtim të Ferizajt.
Tutje ai bëri të ditur se të dyshuarit i kanë gjuajtur disa pengesa në rrugë, për të penguar lëvizjen e qytetarëve apo edhe të policisë, ndërsa tha se në vendin e ngjarjes është edhe kryeprokurori, hetuesit rajonalë, dhe inspektorati policor.
Ndërkaq, prokurorja Ervehe Gashi nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, ka konfirmuar se vlera e arit që u vodh në argjendarinë në Suharekë është 250 mijë euro