Fryma poetike e së dielës me poeten;- Blerina Çifliku BEHARI
ATDHE
———————-
Atdhe ,unë ika !
Hijen e emrit tënd
mbart mbi shpinë…
Bonjak në rrugët e botës
endemi pa emër.
Hije dhe pluhur
nëpër stacione vitesh ,
mbetur në tabelat e tyre.
Atdhe!
Psherëtima jote
më ndjek nga pas
në të huajin dhe.
Malli treti gurët që më përcollën
atë mengjes ku vesa u bashkua me lotët
e Nëna ngrirë si statujë në fundin e rrugicës…
Atdhe!
Dhembja thërret emra,
zëri flet pa tinguj,
zemra rreh pa rrahje për ty.
Si një i huaj, mendimi im vrapon,
e ndalon tek portat e shpirtit tënd…
Globi je ti, meridiani je ti,
madje dhe hëna je ti Atdhe…
Atdhe!
Krahët e tu nuk më mbajtën dot,
më dhanë dashurinë tënde me vete.
Ëndrrat e mia enden në sfondin tënd,
zogjtë shtegtarë
me mua në garë kush mbërrin i pari tek ty.
Pse jam ketu?
Pse hija ime e zgjatur ngeli aty?
Atdhe!
Në pirgje mallesh dhimbja fort ofshëtin.
Në ëndrra makthesh shpirti ynë ulërin.
Qerpikët e maleve kryet te kanë ulur në hi,
I thatë djepi, i tretur pragu për bij.
I parritur mora rrugën nëpër botë .
I mallëzuar u burrërova shpirtin copë.
Legjendat këndohen tani në dhe të huaj
se ato nuk krijohen më në mesin tuaj!
Atdhe !
Hija ime e shuar në rrugët e tua,
zëri im i thyer, shtigjeve më merr mua,
Shpirtin dorëzuar në kufi,
A jam biri yt, më nuk e di
Jetim në vend te huaj mbetem Ne.
Pa identitet
rrugëve të botës duke u sfilitur,
me ëndrrën për tu rikthyer në
çerdhen e ngritur.
Në shtegtim mbetëm përherë mbi re,
me shpresën e dallëndysheve në pranverë Atdhe.
Blerina Çifliku Behari
/www.qendrapress.com/