Fryma poetike e së dielës me poetin;-Setki Q. JASHARI
Nuk matet lumturia e dashurisë
—————————————–
Më në fund guxove, t’më thuash të dua!
Nuk di të rrëfej, se sa jam lumturuar
Më the me zë të ëmbël, me zë magjie
Jam ylli juaj, ndaj më duaj edhe ti
Jam hëna jote, eja të flesh tek mua
Jam dielli yt, ngrohu me rezet e mia
Jam zefiri i verës, freskou me mua
Jam dallga e detit, që laj mëkatet e tua
Nuk më besohej, mua të marosurit
Por të qeshte fytyra, plot nur perëndie
Sytë të rrëfenin, oqeane lumturie
Lot gëzimi ndrisnin, si vesa e Prillit
Faqet të skuqeshin, si agimet në Maj
Të putheshin buzët, si petale trëndafili
Zemra t’pulsonte, si oshëtim uragani
Në përqafim joshte, trupi yt i flakëruar
Sa e çuditshme, sa u zvogëlua universi
Gëzonte me mua, dhe toka dhe qielli
Festonte me mua, dhe hëna dhe dielli
Këndonte me mua dhe fusha dhe mali
Kërcente dhe mëshqerra, dhe sorkadhja
Fluturonin me mua, çafka dhe shqiponja
Sa fatlum isha, nuk kishte masë lumturia
Askush s’matej me mua, as vetë perëndia
/www.qendrapress.com/