Çaste poetike me poeten:Ajne IBERHYSAJ
– ANJA
—————————
Anja, kërkojmë veten tonë
Nën luhatjet e egos së besimit
Çapitjet e hapave tuaja i preku syri
Kurrë nuk i ndjeu shpirti.
Anja, në rininë tënde shumë herë e uritur.
Trupat përqafohen, ftohen, lekura që puthitet, shkërmoqet…
Asgjë e re si vetë Cikli i Krebsit.
Frymënxjerrja e rënduar
sytë flasin më shumë sa duhet dhe fjalët heshtin
një ditë si vetë frymëmarrja jonë.
Përqafimet tona valviten me erën
përdridhen, trembin qerpikun
fryma jote shpirtit i jep frymë
qiellin e ngushton…
lotët sikur i bien me grusht tokës.
Muskujt tendosen, rinia ikën
Eshtrat lëshojnë zë krisme
Eh… bota sa herët paska fjetur.
Në kabare, Anja qëndron
Me vellon e reve të bardha vallëzon
Shpirti mban aromë limoni, vetminë tënde
Buzët ndizen, të gjitha digjen zjarr!
Eh… bota sa herët kishte rënë për t’fjetur
Tinguj fjalësh, krim dhe ndërshkim.
Anja, në qiellin blu vetëm lutje përpëliten.
Të guximshmit janë fitues të puthjeve hajdute
vetëm frikacakët bëjnë luftë.
Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi
Në sytë e tu, Anja, çdo gjë është art.
Anja, Itaka rënkon përherë.
Dashuritë bien me natën e errët
Nesër me të tjera ëndrra ato zgjohen
Në kabare muzika dëgjohet…
Shpirtin e zjarrtë vetëm unë ta njoha
Në sytë e tu, çdo gjë është art.
Të gjithë në qiell t’zhveshur jemi
Anja, në qiellin blu vetëm lutje përpëliten.
/www.QendraPress.com/