Fryma poetike e së dielës me poeten;Manushaqe Hoxha LAÇI
KUR FLASIN ZEMRAT
——————————————
Vazhdo të ecësh udhëve, shtigjeve e labirinteve të trurit tim,
Mes mendimeve, ëndrrave e dëshirave të mia,
Brenda atyre që lulëzojnë në kopshtin e qenies tënde,
Dhe prekmi me aromën e vesuar të hapit tënd të lehtë,
Me flladin e përkëdheljes së buzëqeshjes ndezëse,
Me dorën e butë, ledhatare, të përkujdesjes!
Ndjeje zemrën që noton në oqeane dashurie të dritës së syrit tënd,
Se të kam rrezen e parë të agut, që vjen pas natës së gjatë,
Dritën e diellit, që rinis shpresën për ditën e re, të pajetuar!
Ndërsa unë jam luledielli, që ka sy vetëm për ty,
Vetëm për dashurinë, që dua ti përkas plotësisht dhe përjetësisht,
Që vazhdoj të të prek ledhatueshëm sinapset e trurit, qelizat e shpirtit!
Jam ajo që lë pas pa mëdyshje portin, për të lundruar drejt aortës tënde,
E bëj atë zhytjen spektakolare në detin e zemrës,
Në thellësitë ku noton shpirti im në dallgëzim emocionesh,
Duke të të përqafuar në çdo ind, në çdo qelizë!
Ç’vlerë ka distanca kur zëri yt jeton brenda meje?!
Kur më buzëqesh shpirti sa herë të mendoj?!
Kur dejeve më rrjedh dëshira të jem llava e vullkanit tënd?!
Tani që je turbina e energjisë që më mban mbërthyer?!
Se ti je muzika që ndjej, notat që vallëzojnë në arteriet brenda meje,
Magjia e çmendurisë së dashurisë, që më rritet në tendinë e ligamente,
Zjarrmimi, që mbaj të shtrënguar në gji ditënetëve!
Të ndjej, të shoh me sytë e zemrës dhe kur jemi larg,
Nuk më pengojnë hapësirat, udhëkryqet e kufinjtë,
Të dëgjoj mes heshtjes dhe kur flet me zërin e saj,
Dhe kur hyn pa trokitur duke hapur dyert e universit të shpirtit tim,
Se ti ke të gjithë çelësat e shqisave të mia që ndezin dritat e zemrës!
Ohhh, ç’tërheqje më mban të lidhur me litarët e ndjenjës
E nuk më lëshon dhe kur sytë më mbyllen nga lodhja,
Se jetoj me dashurinë që rritet ëmbëlsisht brenda meje, si embrioni në trupin e nënës!
I kaltër je ti o qiell i jetës, ku hapim krahët drejt lumturisë!
E bekuar je o tokë, ku dashuria ushqen me përjetësi rrënjët e qëndrueshmërisë!
/www.QendraPress.com/