Fryma poetike e së dielës nga poetja; Gerta Bandilli BECKA
Poezia e së dielës…
———————————
Me drurin e qershisë
ishte bërë tryeza e kohës,
një drupunues e gdhendte
çdo mbrëmje duke mërmëritur lutje dashurie.
Bijtë e tij do të hanin
në atë tryezë,
bijtë e bijve do të luanin shah ose brixh,
gdhendësit do t’i harrohej emri.
Gruaja që mbeti vetëm do ta shiste
në një antikuar,
që mblidhte sende të vjetra,
një pasanik e bleu në ankand,
bijtë e tij do të hanin në atë tryezë
me takëme të argjendta,
bijtë e bijve do lexonin gazetën mbrëmjeve.
Dridhej druri i qershisë
tek dëgjonte histori,
që tregonin për pemë dhe gdhendës.
Rënkonin këmbëzat
gdhendur me lule maji
derisa nuk u ndjenë më.
Tani tryeza i shërben kohës,
kohës dhe një historiani,
që nuk e gjeti dot kurrë
emrin e gdhendësit…