Fryma poetike e së dielës nga poeti; Rexhep HOTI
Rrugët u prenë!
—————————-
Është lënduar dashuria,
Vuajtja lë vragë gjithandej,
Rrudhat janë thelluar nëpër fytyrë;
S’mund të dërgoj më ftesë prej studios,
Shpërfillja jote më bën roje në shpirt,
Si jeniçerët te Porta e Lartë;
Të gjitha rrugët që çojnë te ti
Janë prerë.
Si ta fsheh largimin?!
Errësira e përkëdhel vetminë me duar
Si një fëmijë të jashtëligjshëm;
Në rrahjet e zemrës e shkronjëzoj mallin
Dhe rrjedh nëpër ato trokitje,
Si një salmon i kthyer prej Atlantikut.
Nata e janarit derdh prej vetes brymë;
Nëpër trarët e thatë të tavernës
Ku koha shijohet me verë,
Tash kuis veç era;
Është zbrazur rruga prej nga vije ti,
Gjurmët e çapitjeve më janë ngulur në mendime,
Si kthetrat e shkabës
E s’dëgjohen më taket e tua te dera.
Më dërgon këngë me lirikë të vuajtur,
Ndëshkimi s’mungon aty,
Me sakatosje,
me dhimbje,
me terr;
Thirrja, o my darling, o my love!
S’do të kthehem më te shtegu i vjetër,
Ah, dashuria me ty më shpie në ferr!
Prishtinë, janar 2024