Avokati Emmerson: Dëshmitari i 44-të e ka pranuar që është përpjekur të manipulojë procesin gjyqësor.
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë pas dëshmitarit të 43-të, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i 44-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Krasniqit dhe Jakup Krasniqit.
Ndërsa, për dëshmitarin e radhës, mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson ka kërkuar që dëshmia e tij të dëgjohet në seancë publike. Sipas tij, ky dëshmitar ka pranuar se ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb.“Sa i takon dëshmitarit të radhës, do të doja të jepja një parashtrim në seancë të hapur që dëshmia e këtij personi duhet mbajtur në seancë të hapur. Të ndjekim të njëjtën praktikë siç e kemi ndjekur në të shkuarën; të përdorim kode për emrat dhe vendet. Ju keni dhënë vendim sot paradite në seancë të hapur që ky është një dëshmitar që ka dhënë deklarata të rreme për llogari të Shërbimit Informativ Serb dhe është shumë e rëndësishme dhe më e rëndësishme se për çdo dëshmitar tjetër që gjyqi të jetë i hapur për publikun dhe të mos jetë seancë e mbyllur për një dëshmitar të këtij lloji që ka pranuar vetë që ka gënjyer dhe është përpjekur që të manipulojë procesin e gjyqësor për llogari të shërbimit sekret serb”, tha Emmerson.
Kurse, prokurori Matt Halling pati kundërshtime për parashtrimin e Emmersonit lidhur me dëshmitarin e 44-të të ZPS-së.
“Do të doja të kundërpërgjigjesha; vendimi i juaj ishte në seancë të hapur, por ama ju u kujdeset që të mos jepnit të dhëna identifikuese për këtë dëshmitar. Ne thamë në e-mailin tonë në ditën e diel, kur dërguam shënimet përgatitore pse masat mbrojtëse për këtë dëshmitar janë shumë të rëndësishme. Ka disa arsye të vlefshme pse ekzistojnë masa të tilla mbrojtëse dhe ne mendojmë se mënyra e mirë për transparencë të seancës gjyqësore është që kryesisht ta bëjmë seancën në mënyrë private, në mënyrë që dëshmitari të flas lirshëm dhe më pas të bëjmë redaktimet përkatëse të transkriptit, në mënyrë që edhe publiku të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm”, tha Halling.
Lidhur me këto parashtrime, kryetari i trupit gjykues vendosi që ta rrezojë kërkesën e avokatit Emmerson, kështu që dëshmia e dëshmitarit të 44-të të ZPS-së të dëgjohet në sesion privat.
“Redaktimet e transkriptit mendojmë që janë një masë e përshtatshme në mënyrë që publiku të informohet, për rrjedhojë rrëzojmë kërkesën tuaj për seancë publike dhe do të jemi në seancë private me këtë dëshmitar”, tha Charles Smith III. /BpD/.