E mërkura poetike me poetin;Sabit RRUSTEMI
SHËNIME TË (PA)KRYERA
( Shënimi nr. 1 )
Jij i lumtur më shumë
kur s’ta vënë syrin
se sa kur përmes një përkdheljeje
pas shpine
mëtojnë të ta thyejnë qafën
( Shënimi nr. 2 )
Çfarë kohe do t’kesh nesër,
lexoji shenjat
në mbarim të çdo dite
Po i lexove mbrapshtë,
mos prit të ecën mbarë.
Po nuk i vure re
fatin e pashkruar
si ngushëllim e ke…
Shënimi nr. 3
Gjurmët e të parëve,
po s’i gjete nëpër arkiva
përpush dherave të shpirtit
( Shënimi nr. 4 )
Dita kapet që në nadje.
Po s’e zure me ag
Mbetesh duke vrapuar pas saj
( Shënimi nr. 5 )
Mos e prit të të vijë
përmes një rige shiu
a një ëndrreje mëngjesi
Lëviz vendit,
dil tej portës…e kërkoje
gjeje
ashtu siç është pranoje
Pastaj, po deshe,
ndryshoje
Bëje të tillë çfarë e ke ëndërruar
për ta dashur gjithë jetën
( Shënimi nr. 6 )
Përherë
e njëjta ditë vjen
me emra të ndryshëm.
Vetëm shpresa
nuk e ndërron emrin
( Shënimi nr. 7 )
Cilën do rrrugë që ta marrësh
të nxjerr te unë
Kjo zemër që pulson nga Dashuria
nuk mund ta përballojë
mungesën Tënde
/www.QendraPress.com/