Çaste poetike me poeten;Gerta Bandilli BECKA
POEZIA E SË ENJTES
——————————–
Në një ditë si kjo
Askush nuk vdes…
Ardhja e dritës së kthjellët
Premtoi ngrohtësinë e diellit
Në një kaltërsi verbuese
Dashurie…
Dikush po ujiste zambakë
Të kaltër…
Retë u larguan
Në kërcime balerinave
Të ndjekura
Nga kapriçio poetike
Të Gabriel Mistral.
Një vajzë me sy të ëndërrt
Pikturonte detin…
Tingujt ishin kaq të paqtë
Në perëndim
Sa nuk besohej të kishte natë,
Por vetëm dashuri.
Në një ditë si kjo
Askush nuk vdes…
E nëse ndodh, më besoni
Është vdekja që humbet
/www.QendraPress.com/