Çaste poetike  me poetin;Myrteza MARA

 FLAKË METEORËSH

————————————–

Nuk di përse jetës i thonë “lojë”,

Kur loja është thjeshtë një argëtim

Jeta s’di të rikthehet, edhe të dojë

Rruga e saj ka vetëm një drejtim.

Por ja që kështu e ka ndërtuar Zoti

Të luajmë e qeshim dhe midis plagëve

E dimë dhe në gjumë shijen e lotit

Siç dimë në heshtje rrugën e varreve.

Lojërat e jetës zbukurohen me plagë

Dhe gjurmët e tyre mbillen në kujtesë

Kujtojmë e themi: “Këtu jam vrarë

Nga një plumb fjale, thënë pa kujdes!

Kjo gjurmë tjetër ka histori më vete,

Siç ka dhe qielli ditarin e meteorëve

Plaga e ëmbël me shenjën “sekrete”

Kurorë mali me vello prej dëbore.”

Mbushur me plagë ky shpirti i poetit,

Kalorësi i ëndrrave që vetëm rend

Siç rendin drejt bregut dallgët e detit

Siç rend muza ndezur me shpresë.

Mirë bëjmë që luajmë në këtë jetë,

Jemi aktor nëpër udhët e viteve

As ne, as skena nuk ëshë e vërtetë

Jemi flaka e meteorëve që digjen.

 /www.QendraPress.com/