Çaste poetike me poeten;Anila TOTO
Qyteti im nuk ndryshon…
—————————————
Qyteti im nuk ndryshon dot.
Rrugëve mund tu ndryshojmë emrat, por jo gjurmët,
Fasadat ngjyrat, por jo dinjitetin dhe të vërtetat.
Mund të ndryshojnë meloditë, ritmet, por jo këngët
Njerëzit zgjidhjet, por jo vlerat.
Nëse pyet për Vlorën të njëjtat do të thonë.
Dinë Rrugën e Pavarësisë, ‘’Muradien’’ dhe’’ Kuzum Babanë.’’
Pastaj këngët me portokaj e limonë
Dhe historitë që toka mban.
Pastaj do flasin për tokën, anijet dhe detin Jon
Për plakat shamizeza, të rënët dhe lirinë.
Nuk kanë ç’të thonë tjetër, qyteti nuk ndryshon,
Edhe pse e ndryshojmë përditë.
Në këtë qytet ende numërohen fara e fiset
Ende zbatohen ritet dhe traditat e lashta.
Ende numërojmë kohët, vlerat dhe dhimbjet
Fitoret dhe humbjet, perëndimet e arta.
Ende shkohet në varreza kokëmbuluar çdo të diele
Mbajmë në trup thellësinë dhe kripën e detit.
Ende e fitojmë me mund gjithçka në jetë,
E mbetemi të lashtë si qyteti…
/www.QendraPress.com