Fryma e së dielës poetike me poeten:Teuta Anif MUJI
NË PASTË ATDHEU ZË
———————————
Në pastë Atdheu zë
Në piedestal e vë rininë
Që mos ta marr arratinë
Më mirë se në Atdhe
S’është kurrë në mërgim
Në pastë Atdheu zë
Nuk do t’i vajtonte mantelbardhët
Për braktisjen e humanizmit
Për aq kohë sa dergjet në krevat
Njeriu i fundit i mbetur
Në pastë Atdheu zë
Nuk vajtohen artistët
Mbetur skenat në heshtje
As faqet e pahapura të librit
Mbushur blozë nëpër biblioteka
Në pastë Atdheu zë
Le të oshtijnë bjeshkët kudo
E drynat e ndryshkur
Portave le të këputen
Kullat e shqiptarëve nuk mbyllen
Në pastë atdheu zë
Do të kumbonte fuqishëm
Që varret mos të mbushen ferra
T’i nderojmë nëpër varreza
Dhe këngë lavdie të lëmë nëpër breza
Dhe në pastë Atdheu zë
Le të buçasë deri në qiell
Se gurët e skuqur
Lulëkuqe të mbushullojnë
Cep më cep Atdheun të ma lulëzojnë.
/www.QendraPress.com/