Fryma poetike se mërkurës me poetin:Faruk TASHOLLI
BABALLARËT E KOMBIT
————————————
Sa shumë në jetë hoqën të gjorët shqiptarë
Me një komb të vetëm me shumë baballarë,
Udhëton me mund kombi nëpër histori
Shkon një babë i vjetër vjen një babë i ri!
Turr Haxhi Qamilat e përmbysin shkabën
Me sy kah Stambolli, me thirrje „Dum Babën“!
Por baba Dovleti mezi i zbutë varrët –
Ku ia ndin të shkretit në ç’hall janë shqiptarët?!
Zihen e përzihen bandat Shqipërisë
Kërkojnë baballarët, ku janë katandisë?!
Por Zoti i madh ka mëshirë për shqiptarë
Kur s’kërkojnë diç tjetër – iu çon baballarë!
S’marrin vesh shqiptarët që ka tjetër botë
Vrap me baballarët për Pekin e Moskë!
Në çdo stinë të motit dy-tre baballarë,
E sërish ankesat: Jemi komb i ndarë!
Kur ngihen të huaj që s’iu zgjasin dorë
Hajde të kërkojmë baballarë vendorë
Baballarë me mjekrra baballarë të rruar,
Baballarët t’lirë – kombi i robëruar!
Në kokërr të shpinës me ndeja nën pjergull
Shqiptarët t’brengosur si gusat në mjegull!
Një mendim rrufe, seç i nxjerr nga brengat:
T’i lëmë baballarët – t’kthehemi kah legjendat!
(Nga libri im me poezi satirike “Akademia e zuzarëve”,
Prishtinë, 2022)
/www.QendraPress.com/