Kurti publikon pamje, forcat ushtarake serbe shihen pranë kufirit me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se gjatë ditës së enjte, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banjë të Zubin Potokut.

Kurti ka publikuar një video, dhe ka thënë se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”, tha Kurti.

Ndërkaq, theksoi se janë duke u vëzhguar me kujdes se a do të përpiqen ta kalojnë kufirin, gjersa shtoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.