Çaste poetike te së shtunës me poeten;Leonora LOKAJ
Diademë II
————————–
me vite kërkuam arsye
ta përpjesëtojmë veten
e ta humbasim
veten e tepruar
u sollëm rreth asgjësë
jetës shterpë
që na u servua
çdo heshtje
ishte një dhimbje
një zjarr
një etje e re
si lakuriq fjetur
neper guva muresh
ëndërronim
agimet e premtuara
çdo ditë hapej
një plagë e re
çdo mbrëmje fashitej
një dhimbje e vjetër
e sërish vinin
të nesërmet e bredhjeve
të zogjve pa cicërima
të verave shterpa
dimrave pa kufijë
…veç vjeshtat qanin
për këmbët e zbathura
për mallin e pashuar
për fjalën e lidhur nyje
për autobusët
mbushur zhgënjime
për lirinë e ëndërruar
……………………………………………..
sonte, lutemi sërish
kthehu hënë e re mbi qiellin tonë
qepja plagët
ktheja ëndrrat këtij vendi
në sytë e kësaj stine
le të mbin shpresat
sikur bari i një behari
kambanat le të rrëfejnë agun
diademë e shpirtit
le të qohet peshë
ballin e pritjes së një kohe pa emër
le ta shqelmojnë
e kurorat e ëndrrave të këtij vendi
le të kreshpërojnë
/www.QendraPress.com/