Fryma poetike e së dielës me poetin;Faruk TASHOLLI

NJË KUVENDIM ME SALIH ÇEKAJN

————————————————-

Më thotë zemra të bëj vjershë

Ngrehinë vargjesh që ngjajnë si ti,

Si të kthehem në atë vjeshtë

Kur të njoha ty Salih?!

Si të kthehem i mërzitur

Përmes gjethesh rënë për toke,

Ku ta dija se jam ngjitur

Krah njeriut, prijës epoke.

Ti nuk dole nga legjenda

Si thonë këngët popullore;

Ti lirinë e kishe brenda –

Si flamur një ditë e nxore.

Ty flamuri po të çonte

Për ta shkulë atë gur të rëndë,

Zemra e kombit ku kullonte –

Njëqind vjet me qindra gjëmë.

Më thotë zemra të bëj vjershë

Ta zbus mallin e zhuritur,

Mbi kujtime më del kreshtë-

Salih Çekaj ballëndritur.

Sa më larg po mbetet lufta

Sa ka vjersha më bukuri?!

Unë tash vjeshtës thellë u futa

Ti n’pranverë mbete i ri.

DY LIFQERË NË DY SY MALLI

——————————————————-

(Ne kujtim te heroit kombëtar, Agim Ramadanint)

Rashë kah deti i Ajkunës

Flokë mëndafshi syrit tim,

Dy lifqerë si rrjedhë e Bunës

Zhaurijnë për ty Agim.

Dy lifqerë dy sy t’Ajkunës

Zbrazin detin e kriposur,

Në rrëmetin e furtunës

Ku liria ish prangosur.

Kërkojnë malet një kreshnik

Të vijë këngëvë përsëri,

Brymë pranvere me djeg vrik

Pa e ditë se ai je ti!

Kush e hapi atë portë shkëmbi

Me rrapllime e me rrëmbim,

T’hyjë liria këtij vendi

Po kush tjetër, ti Agim?!

Dy lifqerë nga dy sy malli

Vrushkuj drite ag më ag,

Çka të priti çka të ndali

Asaj porte te ai prag?

Dy lifqerë dy sy legjende

Nxjerr Ajkuna me gjëmim,

Herë si këngë e hërë si dhembje

Ku prek qiellin ti Agim!

/www.QendraPress.com/