Çaste poetike me poeten:Manushaqe Hoxha LAÇI
Si mjalti në hoje m’ëmbëlsoi buza jote
Kur m’dhurove puthje si karafila në buqetë
“Të dua”, vjen jehona e zërit tënd dhe sonte
Ditë-netëve dua të këndojmë, si dikur, duet
Por, ti ike larg, drejt ishujve të harresës
Dhe velat e anijes u fundosën në oqean
Tani dielli nuk i shkrin akujt e mungesës
Rrezet nuk arrijnë të depërtojnë matanë
Si të të them sa shumë më mungon…?!
Se pa burim thahet dhe deti i dashurisë
Ujëvara e dëshirave dhimbshëm shteron
Netët janë të ftohta pa zjarrin e lumturisë
Se jam e verbër pa shkëlqimin e tëndit sy
Llamba e zemrës është fikur, nuk ndriçon
Turbina e ndjenjave…nuk punon dot pa ty
Pema e jetës pa pranverë nuk po lulëzon
Ëndërroj…qoftë dhe për një çast të vish
Si një puhizë ledhatare në ditët e nxehta
Të m’i thuash ëmbël ato dy fjalë, sërish
E në krahë të hidhem si flutur krahëlehta
Të vish si ylberi që del pas një stuhie
A si rreze e fshehur dielli që zhbiron retë
Si një frymëmarrje e lehtësuar dashurie
Si zgalemi fitimtar mes dallgëve në det’
S’dua të mbetesh lot i vyshkur në syrin tim
As strofë mjerane e poezisë së papërfunduar
Një dashuri të humbur mos ma lër për kujtim
Si notë pentagrami i këngës së pakënduar
T’pres si rigën e shiut, shkretëtira e Saharasë
Të shuash mallin e ndezur që për ty mblidhet
Hiqmë peshën e dhimbjes së rëndë, pamasë
Zemra e lënduar në detin e zhgënjimit, kridhet
/ëëë.QendraPress.com/