Çaste poetike me poetin:Llesh GJOKA
RRJEDHË E BUNËS QOFSH MALLKUAR!
——————————————————————
/- Poezi homazh për vdekjen e Alma Arazit me tre fëmijët/
Rrjedhë e Bunës qofsh mallkuar
U shterofsh dhe në mot me shi
Si e pranove paktin e vdekjes
Të një nëne me tre fëmijë?!
Rrjedhë e Bunës qofsh mallkuar
U helmoftë uji yt i zi
A nuk pate pak mëshirë
Kur u zhyt nëna me tre fëmijë?!
Rjedhë e Bunës u thafsh përjetë
Brigjet tuaja qofshin mallkuar
Si i degdise në një botë misteri
Nënë e fëmijë të përqafuar?!
Rrjedhë e Bunës qofsh mallkuar
Njeriu i lig që gatoi të zezën
Si s’kish lutje para altarit
Dorë e zotit të ndalte rrjedhën?!
Rrjedhë e Bunës qofsh mallkuar
Pse me valë shkaktove vdekjen?!
Ëngjëjt kanë krahë të fluturojnë
Pse me pahir ua more jetën?!
Rrjedhë e Bunës qofsh mallkuar
Mallkuar qoftë njeriu i krimit
Qajnë dhe muret e kalasë
Dridhet toka prej trishtimit.
ll@gjoka
08.04.2024
/www.QendraPress.com/