Fryma poetike  e së dielës me poeten:Elvira ZENELI

MALLI MË KA MARRË

———————————–

Sot më mori malli për sofrën

Aty ku si zogjtë mblidheshim dikur

Të varfër,

Për pak bukë e kripë e zemër,

Dhe për shumë dashuri.

Dashuria gjithmonë ishte me mua,

Dhe e dashuruar rrija në folenë time,

Nuk u mungoi as vëllezërve as motrës,

As gjyshërve nuk u mungoi,

Se dashuria ishte kryefjalë në vatrën tonë.

Por një mall më djeg për odën ku mblidheshim

Ku kuvendonin pleqtë mjekërbardhë

Dhe ne bëheshim sy e veshë

Se fjalët tireshin hollë,

Filozofi e jetës sonë,

Që s’ luante kush,

Si guri që peshonte rëndë në tokën tonë të lashtë.

Më ka marrë malli kur dilnim në vapën e nxehtë,

Tek mbanim çarçafin kur e shkundnim manin e moçëm shijeëmbël nē oborr,

Kur rrobat i merrnim e në lumë laheshim si mjellmat e bardha

Për pak freski,

Dhe për shumë dashuri.

Malli mē ka marrē për lojën me guralecē

Për lojën cingli kush ishte më i shkathëti

Për lojën me kontinente kur luanim,

Për lojën me nëntë kokrrat e fasules dhe të misrit

Dhe lojën me litar

Për kēto malli me ka marrë.

Kam mall për atë vend

Për atē kohë

Për ata njerëz,

Për shkollën time

Për mësuesen e klasës së parë,

Kur e shkruante orën në ditar,

Kam një mall të pashuar,

Atëherë kur unë çapkënja ende s’ isha shtruar,

Malli më ka marrë për një dashuri të paharruar….!

/www.QendraPress.com/