Çmimi “Sali Çeku” për drejtësi –Shkruan:Hisen BERISHA, Deputet i Parlamentit të Kosovës.
Dita ndërkombëtare e drejtësisë, 10 Maji edhe i këtij viti, në Kosovë u kalua në heshtje të pavëmendur jo vetëm nga spektri politik, por më shqetësuese është se nuk u venerua as nga shoqëria civile dhe mediat. Nuk u shënua as nga studiues eminent të drejtësisë, me kredi në këtë fushë. Prandaj, si ushtarak i fushës së analizave të mbrojtjes e sigurisë, strategjive e doktrinave, e si jurist, më duhet të reagoj dhe të konstatoj se kosovarët nuk kanë sistem drejtësie efektive, se kanë drejtësi të mohuar, se kemi një sistem jo efikas drejtësie, që nënkupton se qytetarët nuk marrin përgjigje ligjore në kohë. Një pale ndërgjyqëse sot, pret me vite për një vendim. Shembulli më i shëmtuar janë mijëra qytetarë, me theks kategoritë e dala nga lufta që po torturohen për pasaktësitë e administratës. Pa llogaritur këtu, se miliarda euro humbin qytetarët, nga joefikasiteti në gjykata e administratë. Mijëra qytetarë e veteran, nga procedurat e tejzgjatura, mbyllin sytë pa marrë drejtësi. Për më keq, kjo zvarritje e joefikasitet po bën që konfliktet e karakterit penal që ziejnë nëpër gjykata, po kalojnë në vetëgjyqësi. Ndaj kemi rritje tërësisht të vrasjeve, të natyrave të ndryshme të krimeve që duan drejtësi efektive dhe efikase. Pra, drejtesia sot, është shndërruar në mekanizëm të “byros partiake” që kontrollohet nga politika dhe zonja VETINGU. Raportet ndërkombëtare na tregojnë se sistemi i drejtësisë e gjyqësorit është i cenuar nga politika e qeveritarët. Është folur për reforma, por kjo është vetëm kompromis i kapjes së sistemit të gjykatave, që po i parashkruajnë rastet penale që rendojnë edhe mbi vet qeveritarët dhe deputetët e pushtetit. Sa herë që vendimet nuk i përshtatën politikës qeveritare, sulmohen e denigrohet kurse hetuesit largohen nga procesi, nga detyrat e hetuesisë, edhe nga puna, siç është rasti me hetuesit e rasteve korruptive e krimit të organizuar në diplomaci, energjetikë e KEK, vjedhjen në rezervat shtetërore, etj. Kjo është reforma e kontestuar e zonjës VETINGU, e cila së pari vet s’mund të jetë aty pikërisht nga VETINGU po të zbatohej objektivisht, e të mos përdorej si mekanizëm i luftimit të kuadrave profesionale ligjore, për t’i zëvëndësuar me militant politik partiak. Luftimi i gjyqtarëve, prokurorëve e hetuesve, bazuar në orientime politike, krahinore, etj., po ngjan me gjahun e shtrigave. Prandaj, ne duhet të luftojmë për një sistem gjyqësor të pavarur, efektiv e efikas e të pa ndikuar. Pra, duhet ta zhbejmë sistemin e byrokratëve e komitetet të LVV, që administrohen nga persona “non grata” për shtetin e Kosovës. Ministri i Drejtësisë së Qeverisë së Pavarësisë, Hajtedin Juqi, themeloi “çmimin për drejtësi” që mbante emrin e dëshmorit të lirisë Sali Ceku që mban titujt “Hero i Kosovës” e “Hero i Kombit”, ndarë nga dy shtetet respektive. Çmim ky që për kundërshtimin se u bë me bazë ligjore pozitive, më nuk u nda nga asnjë qeveri më pas, deri edhe kjo aktuale. Por, sot ka nevojë më shumë se kurrë që një çmim i tillë, të ndahet dhe të prekë ndërgjegjen e kësaj kaste politike, se sistemi shtetëror i Kosovës, po ndërtohet mbi vlerat e lirisë, dhe i ka rrënjët në gjakun e dëshmorëve. Prandaj, ne që bartim këtë peshë gjaku, nuk duhet të lejojmë që ata që e shohin shtetin e Kosovës si “projekt i përkohshëm” apo lirinë si të mundshme të arrihet me “mercenarë të paguar”, duhet të ndërmarrim reforma për t’i dhënë përgjigje të drejtë qytetarëve që të kenë sistem e procese gjyqësore të drejta. Vetëm kështu do marrë fund kapja e sistemit të drejtësisë nga komisarët politik partiak që kanë kapur sistemin e drejtësisë, siç raportojnë edhe institucionet kredibile si DASH dhe Freedom House./www.QendraPress.com/