Fryma poetike e së mërkurës me poetin:Xhemkadri KASTRATI
NËSE MË TAKON
——————————-
Nëse më takon, mos m’shiko të lutem
Kthe kokën anash kinse nuk më sheh
Dhe po desha unë, ti thuaj po ngutem
E nëse m’pyesin, u them se s’më njeh.
Nëse m’takon mua mbyll syrin avash
Atë syrin e kaltërt që ma pate dhënë
Gjoja të ka ra pluhur e po e fshin tash
Dhe duke e fshirë, heshtas kalo pranë.
Në më takosh një ditë, kujtoje të gjorin
Dhe gjithë ato vuajtje nga plagët e tija
Me lot t’dhimbjes m’lëndove krahërorin
Kur ti mbi te më qaje, unë lotin ta fshija.
Kur je me të dashurin, nëse më takon
Çfarë ndodhi me ne asgjë mos i thuaj
Ngase me përbuzje ai do t’më shikon
Ai shikim i tij më shumë m’bën të vuaj.
Kur të bëhesh nuse mbaj një fjong të zi
Të mos t’a sheh burri, fshihe nën duvak
Kujto vajzë që sonte vrave një djalë t’ri
E ka plagën t’njomë, akoma rrjedh gjak.
Nëse të lind fëmijë, uroj që t’jetë djalë
Këtë herë do doja për mua t’mendosh
T’ia vësh emrin tim, të dalë ku të dalë
Ndoshta ndonjë ditë do të më kujtosh!
/www.QendraPress.com/