Fryma poetike e së mërkurës me poetin;Rexhep F. MORINA

KUR

——————————-

Kur buzëqeshja ngurtësohet në buzë,

Nga akullnaja e shikimit të vëngër.

Shikimin mahnitës në bardhësi drite,

E fik tisi i zymtësisë së territ.

Kur fjala tingëlluese mbetet në grykë,

Nga kumbimi i zërit shterues.

Jehonë e këngës melodike ngulfatet,

Nga vuajtja në vajtim trishtues.

Kur imazhi ëndrrës fiktive zhduket,

Nga refleksioni real i dukshmërisë.

Vështrimi i pamjes magjike venitet,

Nga dritëhijet e errëta të vetmisë.

Kur afshi hyjnor i dashurisë fishket,

Nga klithmat e ankthit të urrejtjes.

Ndjenja në brendësi të shpirtit tretët,

Nga vrazhdësi e mllefit brejtës.

Kur madhështinë e jetës së bukur,

E çjerrin thonjtë e egër të mjerimit.

Vdekja tinëzare i shuan të gjitha,

Me fuqinë goditëse të gllabërimit.

Rexhep F. Morina

/www.QendraPress.com/