Çaste poetike me poeten; Ibadete S.LIVAREKA

Ëndërr e zgjimit

————————————-

Ende ishe i hidhëruar

nuk kisha guxim të të flas

sdesha të të lëndoja.

Ora kishte shkuar

përtej orarit të nismës

I dija shumë arsye

iu gëzova njërës.

Kështu

nuk do të hidhërohemi

nuk do të grindemi

nuk do të injorohemi

si rrushi nga dhelpra.

Nuk do të mbaj inat

me asnjë mungesë

di të jem madhore.

Do mbetemi në histori

ja kështu si jemi

pavarësisht lavdeve

pavarësisht përqeshjeve.

Do jemi bashkë furtunave

që pa qëllim përplasin

dhe ngrisin pluhur

deri në rrokaqiej.

Ktheju vetmisë tënde

ku nuk ka as njeri

njihe pastërtinë tënde

kështu do të bëjnë të gjithë

ta njohin të dhuntishmen

që e mbuluan me vese.

Njohës i së vërtetës

këndoje këngën tënde

të mësojnë të tjerët

të nisin me këngë të veta.

Nuk ka më të bukur

se vargu i shpirtit

kur vishet me petkun,

të bën hyjnore.

Në përjetim të së bukurës

e tejkalon dhimbjen

me paqe, me dritën

e përmbysë pesimizmin

si një shkëmb të nxjerrë

t’ia njohësh fundin

dhe nisë…

Se vuajtja e tjetrit

kur nuk e njëh tënden

veç ta zë frymën.

/www.QendraPress.com/