Çaste poetike me poeten;Barie ÇUPI
Nuk di në të njoha.
——————————
Ti ishe
një perëndim i trazuar,
që derdhte frymën e zjarrtë,
i çmendur,
ëndrimtar i marrë,
dhe ishe një gur i krisur,
Zot sa i krisur,
si i këputur nga një shkëmb i shkarë.
Jepeshe e merreshe lehtë,
i pagjurmë,
dalldisur ngamos ti rend e rend,
si një dordolec i stolisur,
i stolisur e lajthitur,
as eshtrat,
as fjalët s’të rrinin në një vend.
Tingujt e ditës të lexoheshin në ballë,
ngjyrën ta merrte muzgu,
ti prap kudo e ngado vërdallë,
i lodhur pa erë e pa sy,
ndjekjet të mbysnin,
o Zot ç’kam parë,
e ç’kam qarë,
mërzitur e habitur në ty.
Si një kalorës i xhindosur,
pas “luftrash” katandisur,
besa s’të qendronte,
as sedra,as dell i burrnisë,
derisa t’u përhumbën këmbët,
o Zot,
t’u përhumbën dhe ledhat e shtëpisë.
Ti ishe
busulla e natës pa orbitë,
nuk e di në të njoha,
a ç’cikël nga zëri yt më ka cekur,
ndërsa pakësohemi çdo ditë,
dhe rruga na pakësohet,
në harresë vdesim si të vdekur
/www.QendraPress.com/