Çaste poetike me poeten;Mimoza ÇOBO

NË GJIRIN TËND JAM KRENARE

————————————————-

E ëmbël toka me rrudhë imcake,

oaz mrekullie që buron ar,

në gjirin e saj linda e jam krenare,

aty shndërrohem në qelibar.

Kodra të buta më rrinë mbi krye,

flokëve më derdhen kurorë,

nëpër gjunjë shket ngazëllyer,

gjethja e rrapit shekullor.

Ndiej jehonën e lashtësisë,

kur zbret lehtë përmbi fushë,

perlat e bardha të Apolonisë,

më lidhen gjerdan në gushë.

Ndiej flladin që frymon heshtur,

kolonave antike pambarim,

e përjetshme thellësive mbetur,

melodi hyjnore e vendit tim.

Se tek rrjedh,si vjershë lirike,

ikën e vjen vala pareshtur,

përmbi flokë kokrriza kripe,

m’i hedh deti duke qeshur.

Ndiej kur rrjedh lehtë në buzë,

shushurima e Gjanicës ,

shpirtit më ulet e ëmbla muzë,

më shkrinë copat e ngricës.

Sytë m’i lag,me vesë fushe,

flladi erëmirë i Myzeqesë,

flokëve cicëron një gushëkuqe

dhe më ngjall gjirit një shpresë.

S’kam faj pse të dua si veten,

o ëmbëlakja, vendlindja ime,

shpërgënjve të tu u bëra poete,

ndaj thur vargje me ligjërime!

PA TY,DRITËN E SYVE NUK E DUA

Pa ty, dritën e syve nuk e dua.

Ç’qenke për mua,moj e bekuar !

Drithërim muzgu nën qiell të purpuruar.

Vesë e gjelbër shpirti,

në qerpikun e lumbardhës,

rigëtim jete në bulbin e farës.

Puhizë e butë livadhi,

si pupla e një zogu,

që zbret avash,avash mbi një lule shtogu.

Nën aureolën tënde përgjërohem unë,

flladi yt më përkund,

mbi një plis dheu,larë në shi të butë.

Më hedh mbi buzë ca gjethe ere,

petale temjani me erë,

pikëllimin e shtërgut nën një qiell me re.

Ç’qenke për mua,moj e bekuar,ti !

Parajsa që më thërret,

nën kreshtën,me vesë trëndeline në gji.

Mall i ngjizur në asht,

ninullë e paqtë fëmijërie,

nën një muzg vjeshte,me diell perëndie.

Piskamë me tinguj fanfare,

në sqepin e shqiponjës,

zbardhëllimë drite në shtatin e shqotës.

Ç’qenke ti ,për mua,

moj vendlindje e bekuar!

Një boçë dheu,me mall e breng mëkuar.

/www.QendraPress.com/