Çaste poetike me poetin;Milazim KRASNIQI
BIOGRAFIA PËR FUND
—————————————-
Nuk po them se gjërat shkuan keq
po që shkuan më ndryshe
nga çdo analizë a parashikim
që do të mund ta bëja për fatin tim.
Thënë thjesht, tashmë po plakem
duke numëruar tabletat e valsakorit
në vend të ditëve në kalendar,
faktikisht mendjen shumë pa e vrarë.
Po pse të vras mendjen kot së koti
kur kam humbur shanset jetësore
që të bëja pak më shumë me historinë
si miqtë e mi, që e fituan lavdinë.
Njëri prej tyre u shpall Ati Themelues.
Një tjetër u shpall poet kombëtar.
Një tjetër e quajnë dëshmor.
Një tjetri i mbajnë iso nëpër përvjetor.
Unë me ta isha tërë kohën,
në gëzime e hidhërime, në qejf e rrezik,
por as nuk vdiqa, as nuk fitova lavdi,
për më tepër, arrita të jetoja gjatë në liri.
Jeta më përdrodhi si një shtjellë
Ama nuk më flaku në humnerë as në lartësi
Prandaj çdo brengë është koti
Përveç llogarisë që duhet dhënë te Zoti.
/www.QendraPress.com/