Në Prizren u mbajt festivali ‘BunarFest’
Është mbajtur edicioni i 20 i festivalit ‘BunarFest’ në Prizren, ku të rinjtë të ardhur nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe jashtë saj, kanë lundruar në Lumbardhin e Prizrenit me goma.
Mbi 100 persona aplikuan nga Kosova dhe vende të ndryshme të botës për të qenë pjesë e edicionit të 20-të ‘BunarFestit’, i cili u mbështet nga komuna e Prizrenit, Ministria e Kulturës dhe donator të tjerë.
“Ky është një festival i veçantë, po duam ta vendosim në hartën botërore, për të pasur sa më shumë turizëm në Prizren. Lumi për neve është pjesë shumë e rëndësishme, dhe duam të shfrytëzojmë festivalin për të ngrit vetëdije tek institucionet e popullata që të jenë më të kujdesshëm, për mbetjet kur dalin në piknikë dhe vizitojnë parqet”, tha organizatori Dren Marseli.
Ai ka theksuar për RTK-në se para fillimit të garës i gjithë shtegu i lundrimit është inspektuar nga ekspertë të fushës.
‘BunarFest 2024’ ka filluar tri ditë më parë, ku të rinjtë janë angazhuar me punë vullnetare për pastrimin e shtratit të Lumbardhit./RTK