Çaste poetike me poetin; Tyran Prizren SPAHIU

Robotët përballë DINJITETIT NJERËZOR

(poezisë mungon shpirti)

————————————

Hap lehtë hyra në ndërtesën e poezisë

hekuri i ndryshkur më tërhoqi vëmendjen

spirancën e këputur kishin vendosur mbi librin e letërsisë

çfarë po ndodh në kështjellën tonë!?

*

Sirtarët e stërmbushur me kumtesa dhe poezi të zgjuara

në parajsë INTELIGJENCA ARTIFICIALE ka futur hundët

robotika shemb kufirin e fundit cilësor

humbet edhe një vlerë e njeriut të rëndomtë.

*

Arriti vala e parafundit e mençurisë

shemben letërsia, shëndetësia e normaliteti

sulmeve agresive dorëzohet logjika e vetëdijes

përfundimisht mposhtet krijimtaria e autorit.

*

Janë përshtypjet me shije të hidhura

ndjekin ndjenjat e uzurpuara nga padrejtësitë

HEKURANËT ROBOTIKË vazhdojnë ahengun e varfër

dinjiteti letargjisë dorëzohet.

*

Nuk kam kohë as durim të duroj të paduruarit

krijesat që kërkojnë të futen në histori

pres me padurim të dali jashtë idhtësisë së realitetit

ëndërroj të rikthehem jetës së bukur ditore…

/www.QendraPress.com/