Fryma poetike e së dielës me poetin;Sabit RRUSTEMI

TË KAM VETËM TY, IMI ATDHE

( Varianti final )

—————————-

Në secilën pore të trupit Tënd

një gjurmë kam lënë

Diku hapin tim të vogël

gjurin e vrarë

bërrylat e gërvishtur

diku hundë e buzë troshitur

dhe në mend s’më ka shkuar të t’fyej

a për t’u hidhëruar

Jam ngritur e kam ecur

duke mbjellur pemë rreth shpie

Kam lëruar dhe arat

moteve pa fund

besa dhe lule kam mbjellur

e ëndrra sa një mal

Më t’bukurën ëndërr kam ëndërruar

nën hijen e vetullës së Saj

dhe mendjesh s’kam fluturuar

Hapësirave Tua jam katrithur

sa përpjetëza e tatëpjetëza kam ngrënë

nuk mund t’i numëroj

Dhe kur jam mbushur vrerë

jam ndëshkuar

as kur më kanë dëbuar

nuk jam zbrapsur

Shpresash nuk jam thyer as edhe njëherë

drejt gjirit tënd kam vrapuar

Si i eturi për ujë te Ti jam kthyer

nën hije therrash jam strukur

kulla të reja duke projektuar

e rrugë

e krejt ç’më është dashur

se si do t’më vinte

ajo e ëndërrta

ajo e shndërritshmja ime me shekuj vonuar

Dhe qiejt kam trazuar prej gëzimit

duke fshirrë rrëketë e thella të gjakut

të pikëllimit

për ta shijuar një buzëqeshje të çiltër

agujve të lirisë

duke i shtrirë krahët horizontit

për t’i haupur dritaret e dashurisë

… se nën dhe e mbi dhe

të kam vetëm ty

imi atdhe…

/www.QendraPress.com/

Fryma poetike e së dielës me poetin;Selim TAHIRI

Të djegur

————————-

Me mallin që më digjte, u nisa drejt teje

Rruga më dukej e gjatë, e pafund,

Sa më shumë që t’afrohesha,

zemra më rrihte më fort,

këmbët më dridheshin më shumë.

Prisja t’i gjeja gjërat siç i kishim lënë:

bukën në sofër, të paprekur

gotat e mbushura me ujë të freskët

librat mbi tavolinë

zogjtë duke kënduar mbi degë t’qershisë

rrobat duke u tharë në ballkon,

trëndafilat e bukur në oborr, plot aromë

Por më hutoi, më tronditi pamja që pashë.

Thashë: mos vallë kam humbur rrugën?

Apo çmendur jam?

Pastaj pashë diçka që ma tërhoqi vëmendjen:

një fotografi e shkelur, fshehur në bar, një kujtim i largët

E mora, e shikova,

nuk di nëse kam qeshur apo qarë.

Ashtu, i mpirë para teje rashë në gjunjë,

mbeta gjatë duke të t’shikuar ty.

Unë, djegur nga malli,

ti, shkrumb e hi.

/www.QendraPress.com/