Fryma poetike e së dielës me poetin;Selim TAHIRI

Të djegur

——————-

Me mallin që më digjte, u nisa drejt teje

Rruga më dukej e gjatë, e pafund,

Sa më shumë që t’afrohesha,

zemra më rrihte më fort,

këmbët më dridheshin më shumë.

Prisja t’i gjeja gjërat siç i kishim lënë:

bukën në sofër, të paprekur

gotat e mbushura me ujë të freskët

librat mbi tavolinë

zogjtë duke kënduar mbi degë t’qershisë

rrobat duke u tharë në ballkon,

trëndafilat e bukur në oborr, plot aromë

Por më hutoi, më tronditi pamja që pashë.

Thashë: mos vallë kam humbur rrugën?

Apo çmendur jam?

Pastaj pashë diçka që ma tërhoqi vëmendjen:

një fotografi e shkelur, fshehur në bar, një kujtim i largët

E mora, e shikova,

nuk di nëse kam qeshur apo qarë.

Ashtu, i mpirë para teje rashë në gjunjë,

mbeta gjatë duke të t’shikuar ty.

Unë, djegur nga malli,

ti, shkrumb e hi.

/www.QendraPress.com/