Fryma poetike e së dielës me poetin;Hysen BERISHA
MË MIKLOJNË CA KUJTIME
——————————————–
Ka kohë që lëmsh më trazohet truri,
Sepse, më miklojnë ca kujtime,
Për kohën kur studionim dhe,
Gjenim radhën për botën intime.
Më kujtohet, atëbotë, unë adhuroja varrezat,
Se aty flakërimet erotike më zunë në thua.
Ndërsa ti, lapidarit treshtyllësh, ia kishe zili,
Se aty gjeje veten, një tjetër zonjë dhe mua.
Kujtoj, atëbotë, më pate thënë njëherë:
-Si në vegime, madhështore, fytyra jote,
Mu në atë shtyllën e gjatë dhe krenare.
E fytyra ime rrëshqet si bolluce tek e vogla,
Se në të mesmën, do jetë një tjetër lozonjare.
Edhe unë, edhe ti, haptas e vërenim se,
Do të pasojë kjo që tani na mundon.
Kur ushtar isha, letrat që t`i dërgova,
Më bëhet se asnjëherë, as tash s`i lexon.
Të pata shkruar:
– Më digjet zemra mua të shkretit…
Pa ty, si pranverë e ardhur pa gjelbrim.
Gishtërinjtë kërcas njërin pas tjetrit.
Ti, sikur ikën, sikur pason një hidhërim,
Rrok biçikletën të të ndjek, por kjo s`nget
Se, para se të të mbërrij, goma i pëlcet.
Vetëm një letër, e dashur, ma dërgove,
Në të cilën kishe shkruar vetëm një emër;
Të tillë, edhe sot, mbështjellë me mushama
Dhe si hajmeli, me xhelozi, e ruaj nën zemër.
Bjellovar, 1980
/www.QendraPress.com/