Çaste poetike me poeten;Teuta BIÇAKU
Simbiozë
——————————
Në errësirën e tistë
shkrihemi, bëhemi njësh
ne dhe hijet tona
që portë pa kërrkëllimë gjejnë
herë në thembër,
herë në gisht.
Teksa zgjohemi në agim,
fillojnë ato të buluriten,
si gjuhë gjarpri
zgjohen të gjata të holla
bri nesh jetësohen, pllaquriten…
E në mesditë
kur dielli pingul mbi ne bie
ashtu të lodhura, të sfilitura,
të mpakura sa grushti
nën këmbët tona shtrihen,
përdhosen e bëhen rrogoz
e në perëndim prapë ringrihen.
Në ditët pa diell a me re,
të zbehta, të hirta,
nga pas na përvidhen
ato hije të mpita.
Një simbiozë e përhershme,
brenda,para, mbrapa,
majtas, djathtas, skiç…
ato silueta të lëvizshme
me ritmin tonë,
por gjithmonë të hirta,
të errëta apo të zeza pis.
/www.QendraPress.com/