TREGIM- SAMEDIN LATIFI –Rikujton; Reshat SAHITAJ.

Çuditërisht , të shtunave saktësisht në ora shtatëmbëdhjetë , pa shikuar orën, orë nuk mbante kurrë, e mbyllte derën e banesës, ndezte cigaren dhe ecte pa shikuar kalimtarët e rastit të cilët as nuk i përshëndeste e as që e përshëndesnin.  Pas diplomimit në Shkollën e Lartë dega e Artit Dramatik, Samedini nuk ndryshoi as në veshje e as në karakter. Nga banesa dilte më shpresa të mëdha e kthehej i zhgënjyer nga fjalët e drejtorit të Teatrit Popullor Krahinor e zyrtarëve të tjerë, mirëpo edhe pse i dëshpëruar mbante qëndrim dinjitoz. I veshur më xhinsi të copëtuar, më mjekër të kuqërremtë, flokë deri pas qafe, e me sytë e tij të kaltërtë ishte bukurosh në mesin e pak bukuroshëve që kishte Kosova e asaj kohe. Sam i ngjante shumë aktorit Steve Reeves dhe personazhit të filmit Sandokan. Në Kosovë për disa vite më radhë, Samidini më shumë njihej me nofkën Sandokan, sesa më emrin e tij.

I gëzuar që TV Prishtina kishte hapur një konkurs për prezantatorë të lajmeve, kishte ftuar të gjithë shokët e grupit që merrnim pjesë në audicion. Në mesin e mbi treqind kandidiatve u seleksionuan nga Hasan Salaj: Mustafë Muçaj, Samedin Latifi dhe unë. Pas tre muaj ushtrimesh të rregullta më Hasanin, komuna e Samedinit dhe komuna ime, nuk na i lëshonin vërtetimin e karakteristikave dhe mbetëm jashtë lojës.

Sam, dallohej nga të tjerët. Rrinte i vetmuar, i heshtur, fliste më vetveten, me personazhet që i imagjinonte në mendjen e tij si: shqiponjën, të vrarët e të zhdukurit, gjarprin e më së shumti më Hamletin e Shekspirit dhe Akilin e Homerit.

– Kur do të interpretoj Hamletin?! Tha dhe lëshoi shtëllunga të rrumbullakëta tymi të cigares që po i shkonte në fund.

– Përparësi kanë të privilegjuarit e zyrtarëve! Iu përgjigja shkurtë.

– Po de, po e presin deri sa të përfundon shërbimin ushtarak! Foli Samedini më tërë pezmin e tij të grumbulluar më vite.

Njëri nga aktorët dashamir i sistemit shkoi në shërbim ushtarak dhe tani “Hamleti” nuk do vërehej në skenë derisa ai të përfundonte shërbimin, sepse roli ishte i rezervuar vetëm për të. Asokohe rolët e mëdha rezervoheshin e për disa shkruheshin drama enkas që i paguante Komiteti i P.Komuniste.

Shumë vite më vonë Samedini do të punësohej në TV Prishtina për të prezantua emisionin e shtazëve të egra, ku më zërin e tij, bëri që të përvetësonte shikuesit tanë.

Samedini aktrimin e kishte profesion, ndërsa skulpturën pasion, kurse atdhedashurinë trashëgimi nga të parët.

U angazhua në luftë për çlirimin e atdheut më dy fëmijët e tij, të cilët ishin ushtarët më të ri të UҪK-së. Ushtarët e huaj ia dogjën librat dhe qindra skulptura të gdhendura në dru.

Më vinte keq ta pyesja pse shokët kishin frikë të flisnin me të .Pse , u larguan të gjithë?!

Gjerë sa pinim në njërën nga kafeteritë në “Shadravan” një shokë që po kalonte u ndal të bisedonte. Kishte dëshirë të fliste pa prezencën e Samedin L. por insistova që të ulej dhe të pinte diçka.

Samedini nuk ia kthej përshëndetjen por as shikimin nuk ia hiqte. Vuri shpatullën e dorës nën mjekër  dhe e vështronte me interesim.

– Shko në shtëpi se sonte të vdes djali! I tha Samedini me një zë të qetë.

– Djali nuk është i sëmur! Ti je i çmendur ! Unë jam budalla që ktheva rrugën të flas me ju! Nuk ndalova për ty por për këtë! foli duke bërë me gishtin tregues ne mua.

Dialogu i shkurtër që u zhvillua më nxori nga takti. Qe të dy kisha shokë të vjetër. U mundova ta qetësoja shokun duke i thënë se Samedini nuk dinte asgjë lidhur me fatin e njerëzve e në anën tjetër i fola Samedinit të mos u thoshte njerëzve gjëra të tilla.

Ia tregova realitetin ! Të mos të humb kohë me ne, por të shkon në shtëpi të kënaqët edhe disa orë me djalin.

Qëndrimi dhe zëri m’u dukën serioze sa që nuk dija të besoja ne ate që fliste apo jo!

Në ata që predikojnë ardhmërinë asnjëherë nuk besoja .Samedini ndezi cigaren. Nxori kamishin e drurit në të cilin kishte gdhendur një gjarpër dhe kokën e shqiponjës. Po të shikohej me kujdes dukej se shqiponja është duke gëlltitur gjarprin. Të gjitha punimet e tija motiv kryesor mbanin gjarprin , shqiponjën si dhe figura mitike të engjëjve të lidhura ngushtë me shqiptar. Çdo skalitje e tij, i kushtohej botës shqiptare të lashtë shumë të lashtë siç thoshte “Zoti , popullzimin e botës e filloi me njeriun e parë shqiptar”. Ndjente kënaqësi kur fliste për gjërat misterioze që mua m’u dukeshin të pakapshme. Tregonte se si shef pamje nga ajo që do i ndodhin njeriut. Rrallë herë ishte në gjendje ta përcaktonte kohën reale të ngjarjeve, por ishte i sigurt se brenda ditëve ndodhnin pamjet që iu shfaqeshin. As vetë nuk dëshironte të dinte ardhmërinë e askujt dhe kjo e mundonte shumë por i vinin pa dëshirën e tij. Në shaka , kërkova të më fliste për jetën e tij dhe timen. Nuk foli. Dy pika lotë i rrodhën nga sytë dhe ofshante. Djersët dhe pikat e lotit u përzien në fytyrën e tij. Nga kjo gjendje u hutova dhe u pendova për pyetjen time.

– Ti do jesh mirë, por unë do vdes! me foli shikim të akullt.

E kuptoi që nuk i besoja në atë që tha. Edhe të mos flisja asgjë, ai e njihte thellësinë e shpirtit./nga FB/