A po e shpëtojnë partnerët ndërkombëtarë edhe kësaj radhe Kosovën nga “Piter Pani” Kurti?! –Shkruan;Hisen BERISHA, Deputet i PDK-së
Deklarata sugjeruese e Ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duhet kuptuar si thirrje që Qeveria e Kosovës të krijojë këtë frymë për heqjen e masave nga BE. Si e tillë, tingëllon e “sinqertë”, për faktin se edhe Serbisë, në deklarimet e tij, ia ka rikthyer vëmendjen te kushtet për integrim në BE. Pra, mbetet që ndërtimi i paqes me Kosovën dhe vendet e rajonit, të jetë kusht për integrim në BE, përkundër lëshimeve në dëm të Kosovës, që i janë bërë Serbisë para dhe me pranimin e Marrëveshjeve si Plan franko-gjerman, Aneksit të Ohrit, Statutit të EU për Bashkësinë e Komunave Serbe dhe statusin e Kishës Ortodokse në Kosovë, kërkesa sugjeruese e Ambasadorit Rohde duhet parë në disa dimensione. Në kontekstin politik dhe diplomatik që është krijuar me procesin e dialogimit dhe negocimit të deritanishëm, mesazhi i Ambasadorit Rohde ndaj Kurtit ishte vërejtje se duhet të jetë i përgjegjshëm dhe serioz. Nuk mund të tërhiqet kur merr obligime ndërkombëtare, të pranojë marrëveshjet e pastaj të bëjë obstruksione kur përballet me zbatimin e tyre. Është dashur një konsultim dhe koordinim harmonizues gjithpërfshirës, respektim i procedurave kushtetuese dhe politike, para pranimit, siç e ka të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Platformën e Kuvendit për dialog. BE kur merr vendime, është proces serioz dhe i maturuar ndaj arsyeve përse merr vendime të tilla. Joserioziteti, inkonsistenca, pasiguria që ka krijuar Kurti në procesin e dialogut, e zbeh mundësinë ose jo të lehtësimit të masave. Prandaj Qeveria Kurti duhet të bëhet serioze, për të krijuar një frymë pozitive dhe të qëndrueshme. Sa ka qenë ky dialog i hapur dhe konstruktiv përfshin kompromiset e ndërsjella dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, kjo nuk mund të konstatohet njëanshëm dhe pa përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara, duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë, me theks aleatin tonë kryesor që e determinon dhe garanton këtë proces, SHBA. Qeveria duhet të tregojë vullnetin politik për të çuar përpara dialogun në interes të Kosovës, kurse deri më tani në çdo veprim dhe vendim politik, ka bërë atë që edhe vetë DASH na kanë paralajmëruar se është në dëm të Kosovës, krijim status quoje, që është interes serb dhe rus në rajon. Kjo e vendos Kosovën përballë zhvillimeve të reja në përmasa gjeostrategjike politike, ushtarake dhe ekonomike, që po e komplikojnë dhe kushtëzojnë dialogun në dëm të Kosovës. Shto kësaj faktin se nuk po zbatohen as reformat dhe masat që kërkohen nga partnerët për përmirësimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e institucioneve demokratike në vend. Kërkesa për koordinim dhe mbështetje nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë BE-në dhe me theks SHBA-në, nuk duhet parë si veprim inertiv në raport me sovranitetin dhe konceptin e vendimmarrjes si shtet i pavarur, por si kusht i ecjes së sigurt dhe të qëndrueshme përpara. Kjo mbështetje e partnerëve ndërkombëtarë është e rëndësishme për të siguruar që Serbia gjithashtu të përmbushë obligimet e saj dhe të kontribuojë në krijimin e një fryme bashkëpunimi. Një rëndësi sensitive ka edhe perceptimi publik dhe krijimi i një fryme pozitive për të fituar mbështetjen e opinionit publik në Kosovë. Kjo arrihet duke i informuar dhe bërë pjesë të procesit të gjithë spektrin politik, shoqërinë civile, dhe qytetarët në përgjithësi, duke shpjeguar përfitimet afatgjata të një marrëveshjeje me Serbinë. Nga interpretimi politik dhe i ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, marrëveshjet që kjo qeveri ka arritur që nga ardhja në pushtet me doktrinën e “reformatimit të dialogut” dhe “marrëveshjeve” të arritura më herët deri në vitet 2013/2015, (të cilat megjithatë, kaluan përmes procesit të ratifikimit në Kuvend dhe procedurat kushtetuese), po ashtu me një “alternativë të re për asociacionin” dhe “republikën e tretë”, rezultojnë të jenë antikushtetuese dhe cënojnë sovranitetin politik të Kosovës në territor. Krijimi i një fryme të tillë, varet nga disa faktorë, si konstruktiviteti, koordinimi dhe vullneti politik i Qeverisë së Kosovës, sa janë të gatshëm të ndërmarrin hapa të guximshëm dhe të vështirë për të përmbyllur procesin politik me Serbinë dhe normalizimin e këtyre marrëdhënieve me zbatimin e marrëveshjeve teknike, përfshirë ratifikimin e kufijve ndërkombëtarë të Kosovës atë me Serbinë në veçanti. Për ti arritur këto, gjasat për sukses janë më të mundshme me një koordinim gjithpërfshirës. Gjithsesi, kjo nuk do të mund të arrihet pa një angazhim të sinqertë dhe konstruktiv, gjë që lë shumë për të dëshiruar sa i përket destruktivitetit të deritanishëm të Serbisë. Deklarimi i Vuçiq, se “Ëndrrat e Kurtit janë lufta, ndërsa ëndrrat e mia janë një Serbi e suksesshme dhe më e zhvilluara në rajon” dhe deklarimi sarkastik se “Ai (Kurti) do të donte luftë, është i vetmi që dëshiron të ketë një uniformë dhe të luajë “Zelenskyn e vogël” në Ballkan” janë tepër goditje e rëndë diplomatike dhe fyese për një udhëheqës politik të dalë jasht seriozitetit të kursit politik që ndjekë. Sado që, vlerësimi se jemi në kërcënim permanent nga Serbia si hegjemon ushtarak e politik në rajon është realitet në ndonjë konstelacion të përshtatshëm që nuk e fsheh Serbia, tendenca e mbulimit arsyetues për rrezik lufte përmasash globale, tejkalon kufijtë e seriozitetit vlerësues të një lideri të vogël dhe po e kthen atë në “Piter Pan” me të cilin po tallet Vuçiq. Pra, gjasat për arritjen e këtij qëllimi varen nga vullneti politik i Qeverisë së Kosovës, përgjigjja pozitive nga Serbia dhe mbështetja e fuqishme ndërkombëtare, ndihma dhe presioni i të cilëve ka rol kyç në lehtësimin e dialogut dhe në sigurimin e një fryme bashkëpunimi për rezultatet e pritura. Këtë duhet parë si nevoj imediate në kontekst të qëndrimeve konsistente të SHBA siç i deklaroi Ambasadori Hovenier sëfundmi, ndërlidhur me dialogun dhe procesin politik Serbi-Kosovë. Në përfundim, krijimi i një fryme pozitive është një sfidë e madhe, por është e realizueshme nëse të gjitha palët e interesuara angazhohen sinqerisht në këtë proces./www.QendraPress.com/