Masakra në Srebrenicë, opozita në Kosovë nderon mbi 8 mijë viktima

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se sot, në Kuvendin e Kosovës, miratuan ‘Deklaratën për Mbështetjen e Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë’, siç tha “për të dërguar mesazhin e qartë: Ne nuk do të harrojmë asnjëherë!”.

“29 vite më parë, në Srebrenicë, regjimi kriminal serb kishte kryer aktin më të tmerrshëm të gjenocidit që nga Lufta e Dytë Botërore, duke vrarë në gjakftohtësi dhe me paramendim 8372 civilë të paarmatosur.

Kriminelët serbë, të udhëhequr nga kasapi Ratko Mladiç, nuk kishin kursyer askënd.

Fatkeqësisht, edhe sot, qindra kriminelë serbë që sollën shumë vdekje e shumë dhembje në tërë Ballkanin, vazhdojnë të enden të lirë, pa marrë asnjëherë dënimin e merituar”, ka shkruar Krasniqi.

Edhe kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, përkujtoi Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës.

“Sot në 29 vjetorin e gjenocidit së Srebrenicës, kujtojmë dhe nderojmë të gjitha viktimtat e këtij akti çnjerëzor. Vrasja e gjakftohtë e 8,372 civilëve boshnjak nga aparati shtetëror dhe represiv serb më 11 korrik të vitit 1995, është tragjedia më e madhe njerëzore që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Plagët dhe dhimbjet e familjeve, janë ende të thella dhe të rënda për faktin se edhe pas shumë viteve, nuk ka drejtësi për Srebrenicën dhe mohuesit e saj – mbi të gjitha janë plagë të paharrueshme”, ka thënë Abdxhiku përmes një statusi në faqen e LDK-së. /Telegrafi/