Fryma poetike e së mërkurës me poeten: Brixhilda DEDE
MURE LOTONJËS
—————————-
Ata i zinin fëmijët dremitur.
Fëmijë të sajuar, të fjetur.
Pa zjarre epshesh në gjoks.
Me Arn= të djegur.
Ajo një grua e rëndomtë.
Me mollëza të mishta si mollë e pjekur.
Me tis hijeje në të blertë e vështrim të zbrazët, të mekur.
Ai pretendonte karierë, zgjuar ëndrrat e të varrosurve në amanet.
Myku i karakterit i ligështonte mushkëritë, shtëpinë, qytetin e trishtë nën mjegull.
Moti, nuk e ndihmoi situatën.
U thanë dhe plepat e vjetër.
Humbën netët me yje.
Lotonin dashuritë në vetvete.
HARROJNË
—————————-
Poetët e sotëm vrapojnë me troke kuajsh.
Të dashurën e ëndrrave të kapin.
Muzën të derdhin në çarçaf mëndafsh,
Harruar thesarin brenda familjes, vetvetes.
Harruar vlerat njerëzore, hapin e madh drejt së vërtetës.
KA NJERËZ
——————————–
Mes njerëzve gjen shtazorë që hungëllijnë.
Gra të shëndosha në mendje e trup.
Ushqyer epshe mashkullore.
Gulçojnë vrer kuçedre.
Ka njerëz shumfytyrësh,
ndërrojnë maska stinësh pa lulëzim.
Ka njerëz, të padukshëm si hije hijenash.
Vërdallosur pabesisht, godasin pas shpinë.
Ata janë njohës të mirë të urrejtjes.
Litarit që mbështillet ajërit, mbyt.
Trokut të orës në amshim.
Skutave të errëta të shpirtit zvarritur,
Treten fatkeqe në kuntërbim.
MBAHET MEND
—————————–
E shpëtova disa herë nga marrëzitë.
Sot do të ishte një bar i mbirë.
Të mirat harrohen shpejt në këtë botë.
Mend mbahet, vetëm një e ligë.
ATY KU AJRI NGUSHTOHET
Qëndisin disa poete vargje,
Me fijen e argjendtë të hënës e të bukurës ditë.
Ku të kuptosh i mjerri, se brenda shpirtit fshehin trishtimin, tradhtitë.
Ka kaq të dashura dhe nga ato,
Me tituj madhorë të mbulojnë.
Botës së rreme ringjallen.
Së përjetshmes, krisen, dështojnë.
/www.QendraPress.com/