Çaste poetike me poeten:Manushaqe Hoxha LAÇI

KURBETI, PLAGË QË RRJEDH

———————————-

Ju lash prindërit e mi,

ju lash mes dhimbjesh

duke mallkuar kurbetin.

Dhe mbeta krah’këputur viseve të huaja

që më morën rininë,

më vodhën shëndetin!

Të lash vendlindja ime,

të lash duke pirë lot dhimbjeje

në copëzat e thyera të gotës.

Dhe ika si zog shtegtar,

duke korrur mallin e mbjellur

rrugicave të errëta të botës!

*****

Në gjirin tuaj dua t’kthehem,

përvëluar mallit të mbledhur,

zhytur në lot e nostalgji.

Kurriz’përkulur nga pesha e kohës,

do vij të mjekojmë plagët e shpirtit,

o të mallëngjyerit e mi!

T’ju puth ballin, dorën e rrudhosur,

që agu i mëngjesit të lindë ndryshe,

diellin t’mos e lëndojnë retë.

T’na ndrisin sytë e qeshet buza,

kur prodhimet në kohë të mblidhen,

fushat të kenë bujq për t’i mbjellë!

/www.QendraPress.com/