Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka folur për rastin e Faton Hajrizit
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka folur për rastin e Faton Hajrizit, i cili u arratis nga Burgu i Smrekonicës dhe më pas dyshohet se është vrarë në Serbi.Berisha tha se duhet të nxirren mësime nga kjo situatë, pasi sipas tij, sistemi i burgjeve të Kosovës dhe sistemi i drejtësisë, një fëmijë e ka shndërruar në kriminel.“Mësimet e para duhet të nxirren tek arrestimi i tij dhe sistemi i burgjeve në Kosovë. Një fëmijë që mund ta ketë kryer një vrasje, por ai ka qenë i mitur. Edhe sistemi i burgjeve të Kosovës dhe i drejtësisë një fëmijë e ka shndërruar në kriminel, i cili më pas është dënuar me vite të tëra për shkak të një krimi më të lartë, e që ka ardhur deri aty pasi ka ikur nga burgu dhe përfundon duke e vrarë një zyrtar të një shteti”.
“Ajo është Serbia dhe ne i kemi raportet si i kemi, por po të ishte vrarë diku tjetër, unë vlerësoj se Qeveria e Kosovës me notë zyrtare do të duhej t’i kërkonte falje atij shteti se një i arratisur nga burgu, i ka kryer një akt”, tha Berisha në Klan Kosova.
Më tej, ai tha se duhet të hetohen edhe qëndrimet e lidershipit politik, përkatësisht ministres Albulena Haxhiu dhe kryeministrit Albin Kurti.
“Sistemi i burgjeve ka dështuar në këtë rast dhe duhet të hetohen qëndrimet e lidershipit politik, edhe të ministres së Drejtësisë dhe kryeministrit dhe që janë shumë në koordinim me qëndrimet e Daçiqit në Beograd”.
“Ai u mundua t’i jap konotacion politik dhe ta nxjerr këtë si një qëndrim të Prishtinës, ndërsa Haxhiu tha se Beogradi e ka organizuar arratisjen”, tha Berisha.