Çaste poetike me poeten:Rudina Muharremi BEJA
JASHTË KORIT
————————
Ky shi i ftohtë,
s’di pse m’u duk më i ngrohtë se gjithçka përreth…
Këpucët e lagura
mbi udhë vizatojnë rrathë eliptik,
ndërsa muret e lartë
të shqetësuar për plakjen
vishen myshk.
Skenës së përditshme,
që gjithnjë e më tepër i ngjan tablosë së një ankthi,
shfaqen njerëz si kukulla,
fytyra pa shprehi,
buzëqeshje të përhumbura…
Këlthet kukuvajka,
e në folenë e tyre grerëzat
mërmërijnë nën zë.
Unë, pa u shqetësuar për rrudhat
rreth buzëve
që akrepat dot s’i ndalin,
vërshëllej në “solo”, jashtë korit.
/www.QendraPress.com/