Çaste poetike me poeten:Ermira BEZATI
Me zë nëne
———————————–
Ç’gëzim i ëmbël më erdhi atë ditë gushti
Kur përmes dhimbjesh bij më erdhe ti
Më dehe shpirtin si të ishe lëng rrushi
M’i dhe më shumë kuptim fjalës dashuri.
Mes lotësh gëzimi dhimbjen më s’e ndjeva
Kur të mora në krah çdo gjë u harrua
Të putha ëmbël dhe të përkëdhela
Të pëshpërita me zë nëne zemër sa të dua.
U linda vajzë, bekuar me një vajzë
Me një rreze dielli me një mrekulli
U ndjeva e lumtur si të isha në parajsë
Me ty bukuroshja e mamit e vogla ime ti.
M’u bëre si motër o shpirti mamit
Më je bërë ti mikja ime më e mirë
Princeshë e çmuar për zemrën e babit
Gjerdan i floririt me gurë xhevahir.
U rrite moj lule më je bërë si një yll
Me linja të bukura me hijeshi të rrallë
Je ëndrra më e bukur kur sytë i mbyll
Kur ti të shkosh nuse malli do më marrë.
/www.QendraPress.com/