Çaste poetike me poeten: Mirishahe LIMANI HILER
Folum shqip nanë
—————————
U rrita të shkoj në shkollë
Babi dhe ti e dij që jeni gëzue
Prej sot të dyve ju lutem
Pash mue :
Veç shqip me më folë due.
E dinte msuesja ime
se ku është Kosova
Kur ajo t’gjithë i pyeti se në ç’gjuhë flisni në shpi
Unë fillova të qajë e asgjë nuk fola
Sa keq u ndjeva nanë, doja t’ikja nga shkolla !
Folum shqip nanë
Qysh gjyshja ty t’ka folë
Se t’gjitha gjuhët e tjera tha msuesja
I mësojmë në shkollë.
Çdo fmijë në botë duhet t’i njoh
Rrënjët prej nga ka ardhë
E unë veç me shqiponjën në çantë
T’i them vetes shqiptar ?!
Se a vjen nga Kukësi apo nga Gjilani,
Se a vjen nga Struga apo nga Ulqini,
Se, a keni apo skeni libra në shtëpi
Ska shumë rëndësi mësuesja na tha
Folni shqip me prindër ashtu siq dijnë ata.
Folum shqip nanë
Qysh gjyshja ty t’ka folë
Të ndjehem me fat si fëmijët e tjerë
E t’rritem e lumtur n’këtë botë të madhe
Ku t’gjithë flasin bukur gjuhën e tyre amtare.
Më fol shqip nanë!
Gjenevë, korrik 2024
/www.QendraPress.com/