Çaste poetike me poeten; Brixhilda DEDE
Mesnatë e thellë pa yje, terr!
Piskamë lemeritëse, vinte nga një thellësi e mbytur.
Dridhshëm përjetova llahtarë, nga mori xhama të thyer.
Shoqëruar pasthirrmash gërryese si zvarritje e një
bronzi të rëndë mbi asfalt.
Zura veshë,
U përpoqa të qetësoja veten,
Tingulli i zërit vinte me valë të prera si rrënkim
shqiponje të plagosur.
Mbylla dyer, dritare.
Tavani gulçoi në tinguj të një parashpirti.
Trishtim, ndjeva të më mpihen duar, këmbë.
Nervozuar rrëmbeva telefonin.
Mendimi u ndërpre si fije peri e kalbur.
Unë, e punësuara në karta të zeza.
Ula receptorin, qava thellë.
Ajo që ulërinte deri kupë qiell,
Mundet të ish’ vajza ime.
Mundet, bashkëatdhetarja ime.
Mundet, të ish’ një krejt e panjohur.
Unë, e pafuqishmja, emigrantja mister.
Trille mu shtirën në kokë, përplasa grushte fort!
Brenda gojës gjuha ishte tharë.
Fyti mbetur kallam kashtë.
Jashtë, errësirë, llahtar!
Unë, drama ime, e paligjshmja gjysmëshekullore.
Ti, tragjedia jote, deri amshim pa gojë.
Mbështolla gjunjë të prerë rreth fytyrës.
Shtrëngova dhëmbë deri në kërcitje.
Ajo, e vdekura fizikisht nga dorë bastare.
Unë, e vdekura shpirtërisht e fatit të ngratë.
Koha ecte, në ritmin e një treni ekspres.
Kockat më rrinin bllokuar në ngërç.
Ndieja të vdes.
Fryma ime e lodhur ulërinte dhomave të shpirtit.
U zgjova!
Nën dritat e një prozhektori.
Përreth, gjithçka blu, e panjohur!
/www.QendraPress.com/