Fryma poetike e së mërkurës me poeten ;Bajame Hoxha- ÇELIKU

ELEGANC’ E BRISHTË

=============================

Kjo ndjenjë pasioni kurrë nuk do të shuhet,

i ngjanë jetës sime thuret e shthuret.

Harlisur do më gjesh të ndezur si shpuzë,

gjer shpirti ndezur të digjet mbi buzë.

Dhe netëve që dremisin dehjesh hënore,

do të desha të isha ëndrra dashurore.

Më e vogla parajsë le të isha për ty,

ky lot i bukur s’do dukej në sy.

Eleganc`e brishtë sa të pëlqente ty!

Me bebëza të zjarrta më pushtoje ti.

Filigran i prushtë përndritje, oh, oh!

Buzëve hënore fije shpirti ngado.

Vallë do të afrohen ato ditë pranverore,

që unë mos të të kërkoj më, prore?!

Sa shumë të kërkoj moj dashuria ime,

udhëve të shpirtit, në zëmrën time!

Heshtja ndez dalldinë tani pa pushim,

dhe flakë ndezur ndihet shpirti im.

Kjo shije dashurie është bekim hyjnor,

buçet zemra ime dhe ti në kraharor…

/www.QendraPress.com/