Fryma poetike e së mërkurës me poeten ;Anita HOXHA

Harresë

—————————-

Shtëpia e gjyshërve të mi, atje larg

Me dy portokajtë që shikojnë kodrës,

Me ato shkallët e drunjta poshtë në prag,

Ku tingëllojnë fjalët e vëllait tim e motrës.

Vetëm në dhomat e vogla, brenda saj

Të braktisura pantoflat e gjyshërve të mi,

Në flladet e ngrohta të qershisë në Maj,

Në të ngrysur, të vdekur, kthehen në shtëpi !

Kërkojnë nëpër dhoma rrobat që lanë;

Një këmishë, një jelek e shaminë e gjyshes

Marrin nga sepeti çdo dhuratë, që iu dhamë

Engjëj ngjitën qiellit, në krahët e dallëndyshes !

Të nesërmen, kur dielli dritares rrezesh troket

Shtëpia e gjyshërve, mbetet bosh e heshtur

Mbledhësi i qumështit, ka kohë, aty s’thërret…

S’përgjigjet zëri i tyre e as ajo e qeshur !

www.QendraPress.com/