Plaku BREZIAN që e luajti GISHTIN-Shkruan;Ibrahim Skenderi
-Mbresë-
Fillimvitet e dekadës së fundit të shekullit të XX.
Pas deistitucionalizimit të Kosovës, më 5 korrik 1990 nga pushteti okupues serb, shqiptarët të bashkuar dhe të mbështetur plotësisht në vetvete, krijuan institucionet e rezistencës për qendresë kombëtare në Kosovë.
Gjithsecili me aftësitë e veta kontribuoi në motivimin e popullatës për rrugën e pakthim drejt lirisë dhe pavarësisë.
Organizuar nga kryesia e LDK-së, dega në Dragash, gjatë aktivitetit shpërndaheshim nëpër fshatra të Opojës me qëllim informimi të popullatës për situatën politike dhe të sigurisë në vend.
Një të diel tetori, për aktivitet informativ në fshatin Brezne ishim caktuar dr. Fehmi Bojaxhiu dhe unë.
Interesimi ishte i madh sa që klasa e madhe e shkollës ishte stërmbushur me qytetarë të të gjitha moshave. Edhe kureshtja për informata të reja ishte maksimale.
Për situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë raportoi dr. Fehmiu, për të vazhduar unë me temën “Dhuna serbe përmes shpernguljes së shqiptarëve”, që kishtë për qëllim ruajtjen dhe forcimin e homogjenizimit për rezistencë dhe qëndresë drejt lirisë dhe pavarësisë.
Referimi ishte i argumentuar shkencërisht dhe zgjoi interesim, por njëkohësisht inspiroi edhe sensin e reagimit.
Me të mbaruar të referencës, nga mesi i klasës çohet në këmbë plaku me plisin flakë të bardhë në kokë. Me dorën e djathtë ngritur lart dhe me lëvizje të gishtit tregues shprehet zëshëm “Nuk largohet shkau pa lujtë kjo, jo…”
Entuziazëm në sallë, padyshim!…..
Dhe…koha e vërtetoi se plaku kishte të drejtë!/www.QendraPress.com/